Skip to main content

Përdorimi i Internetit dhe rrjeteve sociale nga fëmijët

 Rrjetet sociale mund të përkufizohen si një aplikacion në Internet i cili mundëson komunikimin dhe marrëdhëniet apo ndërveprimet sociale midis njerëzve nëpërmjet rrjeteve informatike. Kemi të bëjmë me një risi në jetën sociale të njerëzimit, e cila deri në lindjen e rrjeteve sociale ishte zhvilluar vetëm me praninë fizike të individëve.

Që në fillimet e Internetit civil në vitet 1990, ka patur tentativa të krijimit të rrjeteve sociale, kuptohet me kufizimet teknike të kohës dhe për përdorim të komuniteteve të vogla shkencore, universitare apo të disa ndërmarrjeve të mëdha. Pararendësit e rrjeteve sociale kanë qenë forumet (bulletin boards) ku mund të shkëmbeheshin  informacione dhe mesazhe si dhe aplikacionet e diskutimit (chat) të cilat mundësonin komunikim të menjëhershëm. Këto aplikacione kanë qenë mjaft popullore në fillim të viteve 2000, por ishin të kufizuara në formatet tekst dhe imazh.

Në fillim të viteve 2000, që përkojnë edhe me demokratizmin e Internetit, ka patur disa tentativa për krijimin e rrjeteve sociale siç i njohim sot, por ndoshta i pari aplikacion që pati sukses ka qenë Myspace, i pasuar nga Facebook dhe të tjerë. Por zhvillimin e tyre më të madh rrjetet sociale e kanë patur pas vitit 2010 kur  edhe kanë marrë formën në të cilën pak a shumë i njohim edhe sot. Vlen të përmendet viti 2014 si një moment kyç sepse është viti kur përdorimi i telefonave për  të hyrë në aplikacionet Internet tejkaloi atë të kompjuterave. Dhe sigurisht përdorimi i telefonave « smart » që mund të bëjnë foto apo video dhe kanë procesorë të fuqishëm, ka qenë një nga arsyet kryesore që mundësuan suksesin e rrjeteve sociale.

Ka disa arsye të tjera që mundësuan suksesin e rrjeteve sociale të cilat janë: përhapja dhe përdorimi në shkallë të gjerë i Internetit, risitë teknologjike si lidhjet internet për telefonat celularë, telefonat me kamera, përparimet teknike në përpunimin e videove dhe imazheve si dhe mbrritja e Web 2.0 i cili është një përmirësim i Web-it fillestar që thjeshton ndërveprimet dhe shkëmbimin e të dhënave midis aplikacioneve.

Përdorimi i rrjeteve sociale ka avantazhe dhe disavantazhe.  Nga avantazhet mund të përmendim lehtësinë e komunikimit dhe të marrjes së informacionit, jetën shoqërore online, argëtimin dhe krijimtarinë e përdoruesve. Nga disavantazhet mund të përmendim disa: koha e tepruar në ekran dhe varësia ndaj rrjetit, përmbajtjet e idealizuara dhe komentet negative që mund të sjellin probleme të vetë-besimit dhe të vetë-vlerësimit, mbingarkesa e informacioneve dhe (mos)vërtetësia e tyre, glorifikimi i veprimeve të rrezikshme. Për më tepër përdorimi i rrjeteve sociale mund të ketë edhe probleme të tjera: vjedhja apo keqpërdorimi i të dhënave të përdoruesve dhe ekspozimi ndaj përmbajtjeve të papërshtatshme.

Përmbajtjet e papërshtatshme janë shumë problematike sidomos për fëmijët. Ato mund të jenë skena dhune, skena seksuale, nxitje për veprime të rrezikshme dhe shpesh iu shërbejnë ideologjive, organizatave apo individëve destruktivë. Nuk është vetëm problem i rrjeteve sociale por i Internetit dhe i Web-it në përgjithësi, të cilët në fillimet e tyre ishin konceptuar për të rriturit dhe për komunitete relativisht të vogla. Askush nuk besoj se e mendonte në atë kohë përdorimin e gjerë që ka marrë sot Interneti dhe asgjë nuk ishte parashikuar për fëmijët.

Shumë pak është bërë dhe bëhet edhe sot për fëmijët.  Konsiderohet shpesh se ata nuk kanë akses në kompjutera apo telefona, gjë që sot nuk është e vërtetë. Një studim i vitit 2023 [1] tregon se fëmijët sot në Francë fillojnë të përdorin internetin rreth moshës 6 vjeç dhe se thuajse gjysma e tyre kanë një celular para moshës 10 vjeç. Kjo do të thotë që një 10-vjeçar mund të krijojë një llogari në një rrjet social apo të vizitojë në anën tjetër të botës një webfaqe që mund të ketë një përmbajtje të pakontrolluar. Në përgjithësi rrjetet sociale nuk lejojnë krijimin e llogarive nën moshën 13 vjeç, por fatkeqësisht nuk kanë mundësi ta verifikojnë atë sepse ky kriter është vetëm deklarativ. Nëse një fëmijë do të deklarojë se është mbi 13 vjeç, rrjeti social nuk do ta pengojë të krijojë një llogari. Do të duhej pra një verifikim i saktë i moshës së një përdoruesi të rrjetit social për të mundësuar krijimin e një llogarie. Është kjo një sfidë teknike jo e thjeshtë, e cila ndoshte mund të zgjidhej me zhvillimin e modeleve të Inteligjencës Artificiale (IA) për këtë qëllim.

Një mjet tjetër i përdorur sot nga prindërit për të kontrolluar aktivitetin e fëmijëve në Internet dhe rrjetet sociale janë aplikacionet e kontrollit prindëror. Duhet thënë se nuk janë shumë efikase për shkak të disa kufizimeve teknike por edhe për arsyen se shpesh fëmijët i njohin dhe i kuptojnë këto aplikacione më mirë se prindrit dhe janë në gjendje t’a anashkalojnë kontrollin e tyre. Dobia më e madhe e aplikacioneve të kontrollit prindëror është kufizimi i orareve të përdorimit të telefonit. Për shembull telefoni mund të bllokohet gjatë natës sepse nuk ka asnjë arsye që telefoni të përdoret në atë kohë. Kurse kufizimi i webfaqeve të autorizuara në Internet lë shumë për të dëshiruar sepse ështe e pamundur që të mirëmbahet lista e tyre duke patur parasysh numrin fenomenal të webfaqeve që krijohen çdo ditë në botë (mbi 250 mijë). Nga ana tjetër përpjekjet e disa universiteteve për të krijuar lista webfaqesh të përshtatshme për fëmijët, janë të destinuara të dështojnë për shkak të vështirësive të dakordësimit për përkufizimin e termit « përmbajtje e përshtatshme » sipas vendit, besimit, ideve etj. Një zgjidhje alternative do të ishte krijimi automatik dhe i personalizuar i listave të webfaqeve të autorizuara, proces i komplikuar por i mundur me ndihmën e  Inteligjencës Artificale.

Por edhe listat e webfaqeve të autorizuara nuk do të mjaftonin, sepse nuk zgjidhin problemin për rrjetet sociale ku hyrja bëhet vetëm nga një adresë. Në këtë rast i takon vetë rrjetit social të marrë masat e nevojshme për të mos lejuar fëmijtë të kenë akses në përmbajtje të papërshtatshme. Por edhe këtu vështirësitë janë të mëdha dhe kërkojnë investime në njerëz, programim dhe modele të Inteligjencës Artificiale. Sepse një veçori e shumë rrjeteve sociale është krijimi i përmbajtjes nga përdoruesit, duke e bërë të  vështirë verifikimin dhe klasifikimin e saj. Trajtimi i kësaj problematike ndryshon nga një rrjet social në tjetrin dhe duhet të jetë një kriter i vlerësimit të rrezikshmërisë së një rrjeti për fëmijët.

Problematika e fundit por jo më pak e rëndësishmja, është ajo e mbrojtjes së të dhënave personale. Kur  një përdorues krijon një llogari në rrjetet sociale, ai i beson rrjetit disa informacione personale direkte dhe deklarative me rëndësi, si identiteti i tij (emri, mbiemri), adresën e-mail, por edhe të tjera si datëlindjen, vendlindjen apo vendbanimin, profesionin etj. Rrjeti social do të ketë akses në adresën IP të përdoruesit e cila është një e dhënë personale indirekte. Rrjeti social do të ketë gjithashtu akses në aktivitetin e përdoruesit, dhe do të mund të identifikojë preferencat e tij për tema të ndryshme. Rrjeti do të ketë gjithashtu akses në listën e « miqve » apo të personave me të cilët përdoruesi komunikon si dhe në vetë komunikimet. Në përgjithësi këto të dhëna shërbejnë për të plotësuar profilin e përdoruesit me qëllimin për ta përdorur në fushata reklamash me pagesë, të cilat janë baza e modelit ekonomik të rrjeteve sociale.

Por ka rrjete që mund të mos i përdorin këto të dhëna vetëm për qëllime komerciale, por edhe për qëllime të tjera si influencimi politik apo ideologjik i përdoruesit, destabilizimi i një shoqërie nëpërmjet shpërndarjes së lajmeve të rreme, ndërhyrja në proceset zgjedhore të një vendi për të ndihmuar individë apo forca politike të caktuara.

Të dhënat personale mund të përdoren edhe për arsye keqadashëse kundrejt një përdoruesi dhe mund të kenë pasoja psikologjike, financiare etj.

Për të gjitha këto arsye është me rëndësi thelbësore mbrojta e të dhënave personale.

Bashkimi Europian (BE) kërkon nga webfaqet dhe rrjetet sociale që veprojnë në territorin e tij, respektimin e normës GDPR (General Data Protection Regulation)[2] e cila ka hyrë në fuqi në  vitin 2018 dhe përmban disa rregulla që duhen respektuar për të dhënat personale. Qëllimi i normës GDPR është përdorimi i të dhënave personale në një kuadër të përcaktuar qartë ku parimet themelore janë: ligjshmëria e përdorimit të të dhënave, qëllimi final i përdorimit, përdorimi minimal (vetëm të dhënat e nevojshme), ruajtja e të dhënave, transparenca e përpunimit, detyrimi i sigurisë së të dhënave dhe parimi i llogaridhënies për përdorimin.

Respektimi i normës GDPR nga një webfaqe apo nga një rrjet social duhet të jetë një kriter vendimtar i rrezikshmërisë së përdorimit të tyre. Disa rrjete të mëdha sociale të cilat kanë patur probleme pikërisht me respektimin e GDPR, janë dënuar për këtë nga BE me gjoba të mëdha, dhe janë detyruar të bëjnë korrigjimet e nevojshme. Megjithatë kjo nuk do të thotë se të gjitha problematikat janë identifikuar dhe respektimi i GDPR nga ata është i plotë.

Tani që pamë listën e rreziqeve të webfaqeve dhe rrjeteve sociale për përdoruesit dhe veçanërisht për fëmijët, lind natyrshëm pyetja: a duhen përdorur rrjetet sociale? A nuk do të ishte më e thjeshtë të mbylleshin fare?

Mendoj se, megjithëse teknikisht është e realizueshme, mbyllja e rrjeteve sociale nuk është një zgjidhje. Sepse prej dy dekadash rrjetet sociale kanë hyrë në jetën shoqërore të njerëzimit, dhe është thuajse e pamundur të ketë kthim pas. 

Por megjithatë ka disa gjëra që mund të bëhen për të evituar pasojat e tyre negative.

Në radhë të parë, aplikimi i normës GDPR për të gjitha rrjetet sociale, edhe ato më të fuqishmet. Kjo kalon nga miratimi i kuadrit të nevojshëm ligjor dhe më pas rrjetet sociale duhet të aplikojnë rregullat e përcaktuara, gjë e cila mund të kërkojë njëfarë kohe.

Në radhë të dytë, ndalimi i përdorimit të rrjeteve sociale nga fëmijët nën 13 vjeç, sepse në atë moshë ata nuk e kanë pjekurinë e duhur për t’u përballur me përmbajtjet dhe situatat që mund të krijohen në rrjetet sociale. Madje edhe pas kësaj moshe duhet të kishte një fazë tranzicioni ku adoleshentët të mësonin, ndoshta në shkollë, përdorimin korrekt dhe të përgjegjshëm të rrjeteve sociale.

Në radhë të tretë dhe më kryesorja është roli i prindërve, sidomos në këtë fazë të ndërmjetme që jetojmë sot, ku ende rregullat GDPR nuk janë të aplikuara gjithandej. Prindërit duhet t’iu qëndrojnë pranë fëmijve të tyre, të mos i pajisin fëmijët me telefona apo tableta më shpejt se sa duhet, dhe, kur t’a bëjnë këtë, të bëjnë zgjedhjen e duhur dhe të vendosin një aplikacion të kontrollit prindëror, duke marrë ndoshta ndihmë nga profesionistë të fushës. 

 

Xhemil Meço

Cloud Infrastructures Architect


[1] https://e-enfance.org/wp-content/uploads/2023/03/CP-etude-jeunes-enfants-et-internet.pdf
[2] General Data Protection Regulation https://gdpr-info.eu

 

Comments

Popular posts from this blog

Çfarë është Cloud Computing ?

"Cloud Computing" ose në shqip Reja Kompjuterike është përdorimi në distancë  i burimeve informatike që gjenden në qendra të të dhënave të lidhura me Internetin. Termi « cloud » që shqiptohet « klaud» dhe do të thotë « re » ka mbetur me sa duket ngaqë në skemat e arkitekturës së aplikacioneve apo të platformave informatike shpesh Interneti  paraqitet në formën e një reje me të cilën lidhen elementet e tjerë. Burimet informatike në « cloud » mund të jenë një server, një disk, një pajisje rrjeti,  por edhe një bazë të dhënash, një aplikacion, një shërbim i administruar etj. Burimet në shumicën e rasteve janë virtuale por mund të jenë edhe materiale. Për shembull një ofrues cloud mund të ofrojë për përdorim servera virtualë por edhe servera hardware. Këto burime informatike apo kompjuterike iu ofrohen ndërmarrjeve kliente për përdorim nga një ofrues  « cloud », i cili ka ndërtuar një platformë « cloud ». Platforma m...