Skip to main content

Çfarë është Cloud Computing ?


"Cloud Computing" ose në shqip Reja Kompjuterike është përdorimi në distancë  i burimeve informatike që gjenden në qendra të të dhënave të lidhura me Internetin.

Termi « cloud » që shqiptohet « klaud» dhe do të thotë « re » ka mbetur me sa duket ngaqë në skemat e arkitekturës së aplikacioneve apo të platformave informatike shpesh Interneti  paraqitet në formën e një reje me të cilën lidhen elementet e tjerë.

Burimet informatike në « cloud » mund të jenë një server, një disk, një pajisje rrjeti,  por edhe një bazë të dhënash, një aplikacion, një shërbim i administruar etj. Burimet në shumicën e rasteve janë virtuale por mund të jenë edhe materiale. Për shembull një ofrues cloud mund të ofrojë për përdorim servera virtualë por edhe servera hardware.

Këto burime informatike apo kompjuterike iu ofrohen ndërmarrjeve kliente për përdorim nga një ofrues  « cloud », i cili ka ndërtuar një platformë « cloud ». Platforma mund të jetë private ose publike. Në rastin e parë ajo mund të përdoret vetëm nga një ndërmarrje ose nga klientët e saj, kurse në rastin e dytë platforma është e hapur për publikun e gjerë dhe mund të përdoret nga çdo ndërmarrje, organizatë apo individ. Në disa raste një ndërmarrje mund të përdor njëkohësisht « cloud » private dhe publike - do të flasim në këtë rast për «cloud» hibride. Kurse kur përdoren disa platforma « cloud » së bashku do të flasim për « multi-cloud ».

Shembujt më të njohur të ofruesve cloud që mbulojnë gjithë botën janë Google Cloud Platform (GCP) , Amazon Web Services (AWS) dhe Microsoft Azure, por ka edhe të tjerë më të vegjël që kanë një shtrirje më të kufizuar.

Secili prej këtyre ofruesve cloud ka ndërtuar dhe operon në vende dhe kontinente të ndryshme shumë qendra të dhënash që kanë midis tyre lidhje të shpejta zakonisht me fibra optike. Disa nga këto qendra mund të gjenden afër njëra-tjetrës për të lehtësuar shkëmbimin e të dhënave midis tyre, disa të tjera janë larg njëra-tjetrës për të garantuar vazhdimësinë e shërbimit në rast problemesh apo katastrofash në një zonë gjeografike. Kriteret kryesore teknike që përcaktojnë vendndodhjen e qendrave të të dhënave janë aksesi në energji elektrike, në rrjete informatike si dhe në burime të ftohjes të këtyre qendrave të cilat prodhojnë nxehtësi si pasojë e funksionimit të serverave.

Karakteristikat kryesore të Resë Kompjuterike janë:

  1. Vetë-shërbim dhe sipas kërkesës : një klient mund të marrë vetë dhe të përdor një burim informatik ose kompjuterik pa patur nevojë për ndërveprim njerëzor me ofruesin cloud.
  2. Kërkesa është automatike dhe përgjigja është e menjëhershme : është një program automatik i ofruesit cloud që merr në ngarkim kërkesën dhe i jep përdoruesit burimin e kërkuar në një kohë të shkurtër që mund të jetë nga disa sekonda në disa minuta.
  3. Hyrja në një platforme « cloud » bëhet nëpërmjet Internetit dhe mund të bëhet në çdo kohë dhe nga çdo pajisje, kompjuter, tablet, telefon etj.
  4. Bashkëpërdorimi i burimeve : për një efikasitet sa më të madh, të njëjtat burime të grupuara mund të përdoren nga shumë klientë sipas kërkesës.
  5. Elasticiteti i burimeve: konsumatori mund të përshkallëzojë përdorimin e burimeve, ai mund të rrisë ose zvogëlojë sasinë e tyre me shpejtësi sipas nevojës. Megjithatë sasia e burimeve nuk është e pafund megjithëse në shumicën e madhe të rasteve është më se e mjaftueshme. Ofruesi cloud vendos një sistem kufizimesh (quota) për të kontrolluar përdorimin e burimeve dhe nganjëherë mund të jetë e nevojshme që atij t’i kërkohet rritja e vlerës së kufirit të një burimi.
  6. Matja e burimeve dhe shërbimeve: një platformë cloud duhet të masë përdorimin e burimeve dhe të shërbimeve për t’i kontrolluar ata, për të përshtatur mjetet teknike, dhe për të llogaritur kostot.
  7. Pagesa bëhet sipas përdorimit: çmimet mund të jenë në bazë orare dhe paguhet vetëm numri i orëve të konsumuara. Por ka edhe skema të tjera interesante pagese, kur një burim mund të rezervohet për një periudhë një apo disa vjeçare, duke përfituar ulje të çmimit.


Platformat cloud ofrojnë disa lloj shërbimesh të cilat mund të përdoren veçmas ose së bashku.

Infrastruktura si Shërbim (Infrastructure as a Service - IaaS) ofron burime të infrastrukturës si servera, disqe, rrjete dhe virtualizim. Klientët apo përdoruesit mund të përdorin këto burime të infrastrukturës të gatshme, por do t’iu duhet të administrojnë sistemet operative, programet e ndërmjetme (middleware), aplikacionet dhe bazat e të dhënave.

Platforma si Shërbim (Platform as a Service - PaaS) ofron përveç burimeve të infrastrukturës edhe programe të ndërmjetme, baza të të dhënave dhe mjete të zhvillimit të programeve (development tools). Përdoruesi i cloud mund të përqëndrohet në këtë mënyrë vetëm tek aplikacioni i tij duke fituar kohë. Por jo gjithmonë platforma ofron të gjitha shërbimet e nevojshme për aplikacionin, dhe në këtë rast përdorimi i IaaS mund të jetë më i arsyeshëm. Një kriter tjetër që do të vendos zgjedhjen e shërbimit është edhe kosto, e cila është sigurisht më e lartë për PaaS.

Software si Shërbim (Software as a Service - SaaS) ofron të gjitha ato që ofron PaaS plus aplikacionin. Përdoruesit i mbetet vetëm të konfigurojë dhe të përdorë aplikacionin e gatshëm të mirëmbajtur nga ofruesi i cloud. Sigurisht kosto do të jetë më e lartë se IaaS dhe PaaS.

Kontejner si Shërbim (Container as a Service - CaaS) iu ofron infrastrukturën e nevojshme aplikacioneve që përdorin kontejner për ekzekutimin e këtyre të fundit.

Shërbimi pa servera (Serverless) është një lloj i ri shërbimi që quhet edhe Funksioni si Shërbim (Function as a Service - FaaS) i cili i mundëson përdoruesit cloud të ndërtojë  aplikacione të bazuar në funksione të ekzekutuara në gjuhë të ndryshme programimi (p.sh python) të cilat vihen në punë nga ngjarje të paracaktuara, për shembull arritja e një mesazhi në një radhë (message queue), thirrja e një API etj. Për këtë shërbim nuk nevojitet ndërtimi i një infrastrukture sepse ajo administrohet nga ofruesi cloud. Modeli i pagesës bazohet në kohën e ekzekutimit të funksionit.

Zgjedhja e një shërbimi bazohet në nevojat e aplikacionit, kompetencat e përdoruesit si dhe koston e shërbimit.

Reja kompjuterike ofron disa avantazhe të rëndësishme siç janë shpejtësia e planifikimit dhe ndërtimit të infrastrukturës cloud në krahasim me një infrastrukturë klasike ku duhet më shumë kohë. Reja kompjuterike mund të ndihmojë edhe në zvogëlimin e shpenzimeve sepse mundëson përdorimin dhe pagesën vetëm të  burimeve të përdorura realisht dhe dhe minimizon pasojat e pasaktësive të planifikimit të infrastrukturës. Bashkëpunimi është më i thjeshtë dhe më efikas në renë kompjuterike sepse në burimet e infrastrukturës mund të kenë akses disa përdorues, kudo që ndodhen dhe në çdo kohë. Dhe ndryshe nga ç’mund të mendohet, reja kompjuterike ofron një siguri të lartë sepse ofruesit cloud vënë në dispozicion të përdoruesve mjete sigurie të një niveli të lartë, të konceptuara nga specialistët më të mirë të sigurisë. Reja kompjuterike, falë shpërndarjes së saj gjeografike ofron edhe mjete për ruajtjen e të dhënave me një siguri maksimale dhe rikuperimin e tyre në rast problemesh teknike, gabimesh njerëzore, fatkeqësisht natyrore apo sulmesh kibernetike.

Por reja kompjuterike ka edhe kufizimet e saj. Problemet në një qendër të dhënash apo në rrjet do të bënim që shërbimet të mos funksiononin nëse përdoruesi nuk ka parashikuar një  zgjidhje për daljen nga fatkeqësia teknike. Rreziqe të tjera janë varësia që krijohet nga ofruesi cloud, mungesa e kontrollit në infrastrukturën fizike që mbart infrastrukturën cloud, konfidencialiteti i të dhënave, sulmet kibernetike, vështirësia e integrimit me sistemet ekzistuese si dhe shpenzimet e paparashikuara.

Reja kompjuterike ofron shumë burime dhe produkte klasike: servera virtualë, disqe virtuale, baza të dhënash, orkestrator për kontejner Docker etj. Por ajo ofron edhe burime të Inteligjencës Artificiale (IA) për përpunimin e gjuhëve natyrore, për klasifikimin e dokumenteve, për identifikimin dhe klasifikimin e imazheve, për sintetizim tekstesh, zëri apo imazhesh dhe shumë të tjera. Ofruesit cloud kanë integruar vegla për zhvillimin e shërbimeve të IA në platformat e tyre, duke iu mundësuar përdoruesve zhvillimin e modeleve të tyre ML (Machine Learning) duke përfituar nga eksperienca e disa dekadave në këtë fushë.

Sot flitet shumë për teknologjitë e reja si Inteligjenca Artificiale, Big Data apo IoT të cilat po bëhen gjithnjë e më shumë të rëndësishme për njerëzimin. Por duhet kuptuar se zhvillimi i këtyre teknologjive, mbështetet në renë kompjuterike dhe mundësohet nga ajo. Prandaj është me rëndësi për një vend që dëshiron që të zhvillojë këto teknologji të së ardhmes, të zhvillojë në radhë të parë Renë Kompjuterike dhe ta përdorë atë.


Xhemil Meco

 

Comments

Popular posts from this blog

Përdorimi i Internetit dhe rrjeteve sociale nga fëmijët

 Rrjetet sociale mund të përkufizohen si një aplikacion në Internet i cili mundëson komunikimin dhe marrëdhëniet apo ndërveprimet sociale midis njerëzve nëpërmjet rrjeteve informatike. Kemi të bëjmë me një risi në jetën sociale të njerëzimit, e cila deri në lindjen e rrjeteve sociale ishte zhvilluar vetëm me praninë fizike të individëve. Që në fillimet e Internetit civil në vitet 1990, ka patur tentativa të krijimit të rrjeteve sociale, kuptohet me kufizimet teknike të kohës dhe për përdorim të komuniteteve të vogla shkencore, universitare apo të disa ndërmarrjeve të mëdha. Pararendësit e rrjeteve sociale kanë qenë forumet (bulletin boards) ku mund të shkëmbeheshin  informacione dhe mesazhe si dhe aplikacionet e diskutimit (chat) të cilat mundësonin komunikim të menjëhershëm. Këto aplikacione kanë qenë mjaft popullore në fillim të viteve 2000, por ishin të kufizuara në formatet tekst dhe imazh. Në fillim të viteve 2000, që përkojnë edhe me demokratizmin e Internetit, ka patur ...